FOTO/ Nga 30 Qershori hidhet në treg kartëmonedha 10 mijë Lekë, ja si duket

146

Kjo do të jetë kartëmonedha e re me prerjen më të madhe të emetuar deri më sot: 10 mijë Lekë, e cila do të nisë të qarkullojë që prej 30 Qershorit. Kartëmonedha ka si tematikë simbolet e flamurit dhe himnit kombëtar, ndërsa në pjesën e përparme poetin Rilindas, Asdreni, njëkohësisht autor i himnit të Shqipërisë.

Gjatë ceremonisë të prezantimit të emisioneve të reja të parasë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, tha se zhvillimi ekonomik i vendit kërkonte një prerje të kësaj madhësie, ndërsa paraja fizike ende nuk është zëvendësuar ajo elektronike, madje vitin e fundit pati një rritje të qarkullimit të saj me 52 miliardë Lekë.

Bashkë me kartëmonedhën 10 mijë Lekë, do të hidhet në qarkullim edhe modeli i ri i emisionit të prerjes 1 mijë Lekë, ku do të vijojë të qëndrojë tematika e portretit të Pjetër Bogdanit. Të gjithë prerjet e reja kanë format për njohjen nga të verbrit dhe me elementë të shtuar sigurie për t’i mbrojtur ato nga falsifikimi.

Tashmë Banka Qendrore do të hedhë në treg dhe modelet e reja të prerjes 2 mijë Lekë, e cila pritet të dalë në fund të vitit, ndërsa vitin e ardhshëm emisioni i ri i kartëmonedhave mbyllet me futjen në qarkullim të kartëmonedhës 500 Lekë. Dy vjet më parë u rinovuan edhe prerjet 200 dhe 5000 Lekë.