FOTO/ Parku Kombëtar i Llogorasë vizitohet nga 110 mijë turistë

24

Parku Kombëtar i Llogorasë, rreth 40 km në juglindje të Vlorës, është një ndër atraksionet turistike më të vizituara në vend.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Vlorë tha sot për ATSH-në se “gjatë periudhës janar-gusht ky park u vizitua nga 110 087 turistë, nga të cilët 15 674 të huaj dhe 94 413 vendas”.

Sipas ADZM Vlorë, turistët përveç shtigjeve që ndodhen në këtë park, kanë vizituar edhe qendrën e vizitorëve të parkut kombëtar Llogora, ku janë njohur me historinë e këtij parku.

Parku i Llogorasë është një pikë klimaterike ku ofrohet akomodim dhe shërbim restorantesh. Veçantinë e këtij parku natyror e shton kombinimi i klimës malore me atë detare.

Territori i tij zë një hapësirë prej 810 ha dhe shtrihet në lartësitë nga 470 deri në 2018 metra mbi nivelin e detit. Në këtë territor shtrihen disa fshatra turistikë si Palasa, Dhërmiu, Vunoi etj., që gjatë stinës së verës janë të populluar nga turistët vendas e të huaj.

Ai është një pikë ideale edhe për ushtrimin e sporteve verore e dimërore, si ngjitje, ecje në natyrë, njohje me historinë dhe me monumentet e natyrës dhe të kulturës, por edhe për sporte ajrore, ku në shpatin e malit që shikon nga deti është përshtatur një pistë fluturimi për amatorët dhe profesionistët e fluturimeve me mjete të ndryshme sportive.