FOTO/ Përfundon restaurimi i çatisë së Kishës “Monument Kulture, Kategori e I-rë”

35

Në Gjirokastër ka përfunduar puna për restaurimin e sprethit të çatisë së Kishës së Shën Gjergjit në Nokovë (Monument Kategori e I-rë) .

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bën të ditur se gjatë restaurimit u bë e mundur zëvendësimi i katramasë së sprethit e cila ishte dëmtuar nga vitet si dhe zëvendësimi i trarit kryesor mbajtës dhe petavrave të sprethit të cilat ishin amortizuar dhe rrezikonin më tej këtë pjesë të çatisë.

Kisha e Shën Gjergjit në Nokovë është e ndërtuar në vitin 1772 dhe përbën një rast të veçantë për mbulimin me qemer vetëm të nefit qëndror. Kisha përbëhet nga narteksi në anën perëndimore, naosi me ambientin e alatarit dhe një hajat me çati druri mbi shtylla druri në anën veriore në tërë gjatësinë e kishës.

Në kishë hyhet nëpër derën e naosit në anën veriore. Përballë saj, në portik, është ndërtuar më vonë një këmbanare. Narteksi ka një shtyllë në mes dhe mbulohet me çati e tavan druri. Narteksi lidhet me naosin me një derë në murin në mes të tyre që ka dhe dy dritare anash dhe ndriçohet nga dritarja jugore.

Naosi ndahet me tre nefe nëpërmjet dy arkadave me dy shtylla e tre harqe secila. Nefi qendror, i formuar në këtë mënyrë, mbulohet me qemer cilindrik me drejtim lindje – perëndim. Nefet anësore, ndryshe nga të gjithë kishat e tipit, mbulohen me tavan të rrafshët dërrase. Nga një vrojtim mbi tavan rezulton se edhe çatia është prej druri. Naosi ndriçohet nga dy dritare mbuluar me arkitrarë druri në anën jugore. Ambienti i altarit ndahet nga naosi me një ikonostas druri.

Ambienti i altarit ndriçohet nga dy dritare në murin jugor dhe një dritare rrethore mbi absidën. Absida është zbukuruar me nëntë nike të ngushta mbuluar me hark dhe përfundojnë me një kornizë me një rresht dhëmbësh sharre.