FOTO/ Rritet popullata e flamingove, ja sa individë kemi vetëm në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë

13

Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri PPNEA, në kuadër të inventarizimit të shpendëve folezues në zonën e peizazhit të mbrojtur Vjosë–Nartë, realizoi dy herë gjatë sezonit të folezimit censin e flamingove në këtë zonë.

Herën e parë censi u realizua në datën 7 maj 2020, ndërsa herën e dytë në datën 9 qershor. Në censin e parë u numëruan 1890 individë të flamingos, ndërsa në të dytin u identifikua një numër prej 2005 individësh. Flamingot, megjithëse janë një lloj i përhershëm në vendin tonë, ende nuk janë folezues, pavarësisht tentativave në zonën e Kripores që prej vitit 2013.

Në sezonin e shtegtimit, PPNEA së bashku me shoqatën “Shpendët e Shqipërisë”, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, janë duke planifikuar realizimin e censit kombëtar të flamingove.

“Ky aktivitet do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të gjithë ata që dëshirojnë të shikojnë flamingot e të ndihmojnë në numërimin e tyre”, shprehet Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri.