FOTO/ Sarandë, vazhdojnë punimet për transformimin e shëtitores “Naim Frashëri”

13

Në qytetin bregdetar të Sarandës vazhdon puna për transformimin e shëtitores  “Naim Frashëri”, e cila do të ketë një pamje të re.

Punimet e filluara më 4 mars 2020 dhe të ndërprera për shkak të pandemisë, rinisën në qershor dhe po ecet me ritme të mira për ndërtimin e kësaj shëtitoreje.

Shëtitorja “Naim Frashëri” pritet të kthehet në një hapësirë publike shumëfunksionale dhe në shërbim të banorëve e pushuesve gjatë sezonit. Parashikohet restaurimi i fasadave në gjithë gjatësinë me qëllim përmirësimin e estetikës.

Gjithsesi në shëtitore do të mbizotërojnë elementë që e ruajnë identitetin e qytetit si për shembull porta hyrëse e Onhezmit, skulptura të realizuara nga artistë lokalë, sheshi i shatërvanit, pemët ekzistuese dhe zonat e gjelbra, pishina e hapur, etj.

I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, Saranda është e rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit ngjall kureshtje te turistët e shumtë me historinë e tij mijëravjeçare.