FOTO/ Shirokës në Shkodër po i kthehen miqtë e vjetër

151

Shiroka është një fshati i vogël në Shkodër por me një potencial të madh turistik. I pozicionuar në bregun jugperëndimor të Liqenit të Shkodrës është kthyer në një zonë mjaft atraktive.

Falë investimeve të fundit sheshi i Shirokës, me motive “Qilimi Shqiptar nga zona e Zogaj/Shirokë” është nominuar për Çmimin e BE-së për Arkitekturën Bashkëkohore 2022!⠀

Nga hulumtimet historike del se Shiroka ka pasur format fillestare që përpara dhjetë shekujsh. Është një vend me kulturë e traditë, që ka nxjerrë njerëz të ditur që kanë bërë emër në histori e kulturë. Pjetër Budi në letrën e tij të 15 shtatorit 1621 përmend në bregun e Liqenit të Shkodrës një qendër me emrin “Skirosi”, për të cilin Injac Zamputi, mendon se bëhet fjalë për Shirokën.

Një fundjavë në Shirokë kalohet mirë për shkak të klimës dhe ajrit të pastër që filtrohet nga freskia e liqenit dhe pishat e Taraboshit. Hapësira turistike nis që nga Ura e Bunës dhe deri në qendrën e zonës së Zogajve, atje ku mbaron hapësira turistike e bregut të liqenit të Shkodrës.

Shiroka shumë shpejt do të jetë një plazh i mirëfilltë, duke i plotësuar kërkesat e shumta që një kategori qytetarësh shkodranë dhe më gjerë ka për këtë pikë turistike.

Përveç vlerave të padiskutueshme që të servir, Shiroka ka avantazhin që është gjeografikisht shumë pranë qytetit të Shkodrës, çka i jep mundësi komunitetit ta frekuentojë më lehtësisht dhe pa shpenzime ekonomike.

Kjo është Shiroka e vërtetë, asaj po i rikthehen miqtë e saj të vjetër. “Shiroka po kthehet në identitet dhe shpresojmë të ecë me këto ritme”, shprehën administratorët e lokaleve, duke theksuar se janë shumë të kënaqur nga frekuentimi i madh që po i bëjnë vizitorët, vendas dhe të huaj.