FOTO/ Shqiponjat e Shkëlzen Veselit në Itali “fluturojnë” kudo ku ka shqiptarë në botë

21

Shkelzen Veseli është një 29-vjeçar shqiptar që me historinë e tij të emigrimit, dëshirën e mirë dhe talentin, është një shembull për rininë.

Ai është nga ata shqiptarët e thjeshtë që emigrimin e kanë zgjedhur për arsye ekonomike, dhe që fati dhe dhuntia i kanë buzëqeshur duke u bërë i njohur ndër shqiptarët në të gjithë botën. Kur gjërat bëhen me dashuri dhe përkushtim bëjnë më të bukur jetën tonë dhe të të tjerëve.

Puna në një fermë kuajsh e bëri të njihej me fëmijët autikë që bënin hipoterapi e prej tre vitesh tashmë kujdeset për ta me shumë dashuri. Por Veseli është bërë i famshëm për punimin me dru të shqiponjës shqiptare, një punishte që ai ka dëshirë ta zgjerojë nisur nga kërkesat e shumta të shqiptarëve anëekënd botës. Çdo shqiponjë që ai punon ka një histori të porositësit të saj dhe emocionet e tyre atij i përcjellin kënaqësi. Shqiponjat e Shkëlzenit “kanë fluturuar” kudo ku ka shqiptarë. Ai thotë se ëndrra e tij më e madhe është që të kthehet në Shqipëri, të hapë punishten që ka atje dhe të krijojë një qendër për fëmijët autikë.