FOTO/ Vera gjallëron Kalanë e Beratit, nis fluksi i turistëve

29

Kalaja e Beratit, një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, në ditët e para të muajit korrik ka nisur të gjallërohet nga turistët vendas e të huaj.

Gjatë muajit qershor kjo kala u vizitua nga 3163 turistë vendas e të huaj, si polakë, ukrainas, çekë, gjermanë, francezë, etj.

Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës.

Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë.