FOTOT/ 9 territoret ku gjendet popullata e kalit të qyqes në Shqipëri, çfarë zbuloi vrojtimi

29

Popullata e kalit të qyqes në Shqipëri gjendet në 9 territore, e shtrirë në zonën e Mallakastrës, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Përmetit.

Monitorimi i popullatës së kalit të qyqes, është një iniciativë që grupe studimore nga 14 vende të Ballkanit, Afrikës dhe Lindjes së Mesme, në kuadër të projektit të LIFE “Jetë e Re për Kalin e Qyqes”, ndërmarrin vit pas viti për të identifikuar ndryshimet në popullatë apo dhe në shpërndarjen e territoreve në vendet e Ballkanit apo Afrikë.

Ekipet e monitorimit në terren publikuan sot të dhënat për vitin 2020.

Sipas Shoqatës së Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) ky monitorim shërben për të kuptuar ecurinë dhe për të identifikuar masat që duhen marrë për rimëkëmbjen e popullatës së kësaj shkabe.

“Në Shqipëri vazhdojnë të mbeten 9 territore të zënë, sikurse, në tre vitet e mëparshme. 6 territore janë të zënë nga çifte dhe 3 nga individë të vetmuar. Në nivel Ballkani u monitorua një rritje me 9% në numrin e çifteve, 2 prej të cilave u identifikuan në Bullgari, 1 në Shqipëri dhe 1 tjetër në Greqi.”