FOTOT/ “Censusi” i zogjve, regjistrohen të gjithë shpendët në parkun Divjakë-Karavasta

600

Tufa të shumta shpendësh shtegtarë kanë emigruar në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Numri i madh i tyre ka bërë që një grup studiueshish shqiptarë të kryejnë numërimin e tyre.

Disa lloje shqiponjash janë parë për herë të parë nga këta studiues, si shqiponja e kënetës, shqipja peshk-ngrënëse, huta, lejleku apo shqiponja ngrënëse e rosave. Kjo zonë, nëse do të ruhet nga ndërtimet, mund të kthehet në një atraksion për turizmin dimëror. Studiuesit vunë theksin mbi nevojën e ruajtjes së habitateve, pasi kjo zonë është tërheqëse për turizmin dimëror.

Pas udhëtimeve shumë të gjatë, disa nga shpendët përballen edhe me rrezikun e vrasjes nga gjuetarët. Ndonëse moratoriumi në vendin tonë ka minimizuar këtë gjueti, rastet sporadike nuk mungojnë. Megjithatë, shumica e zogjve migratore kanë gjetur habitatet e tyre të padëmtuara .

Zogjtë që kanë emigruar në lagunën Divjakë-Karavasta, janë pjesë e rrugës nga Europa në Afrikë. Shumë specie kthehen në të njëjtat vende, duke përfituar ushqimin, strehimin dhe ujin.

Kjo është zona më e rëndësishme për shpendët në Shqipëri, pasi janë të shpërndarë në një mozaik habitatesh ku përfshihen ligatinat, ujërat bregdetare, pylli me pisha dhe lumenjtë.