FOTOT/ Diana, fermerja me 140 dynymë tokë të mbjella me levando dhe sherebelë

418

Diana, një grua kurajoze e punëtore nga Malësia e Madhe, ka hequr dorë nga emigrimi së bashku me bashkëshortin e saj, duke u përqendruar te bujqësia.
Të dy besonin fort te zhvillimi i fshatit, dhe ia dolën që dëshirën e tyre ta bënin realitet.

“E nisëm me 10 dynymë të mbjella me Bimë Aromatike Mjekësore. Ecëm dalëngadalë në shtimin e sipërfaqeve duke marrë mbështetje edhe nga AZHBR, përmes Skemës Kombëtare”- shprehet Diana.

Sot ata kanë rreth 140 dynymë të mbjella me levando dhe sherebelë. Kanë të punësuar 15 persona të zonës dhe synojnë investime të mëtejshme në këtë fushë.
Fermerët në të gjithë vendin po zgjerojnë sipërfaqet e tokave të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike, nga eksporti i të cilave sigurojnë të ardhura ekonomike më të larta.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural bën të ditur se përmes mbështetjes financiare nga Skema Kombëtare në Bujqësi dhe programi IPARD II është rritur në 2080 ha sipërfaqja e mbjellë me bimë mjekësore dhe aromatike, në këto vitet e fundit.

Sipas AZHBR-së, kërkesa në rritje e tregjeve të huaja për këto bimëve, që sigurojnë edhe fitime më të mëdha për familjet fermere, i ka nxitur ata për t’u marrë me këtë aktivitet.
AZHBR bën të ditur se zgjerim po marrin edhe investimet në qendra të grumbullimit dhe përpunimit të këtyre bimëve, që bëjnë mbledhjen e të gjithë prodhimit nga fermerët dhe i eksportojnë ato jashtë vendit.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ka mbështetur 36 investime në 18 bashki të vendit për zhvillimin e sektorit të bimëve mjekësore.

10 prej këtyre investimeve janë startup-e që kanë hapur 555 vende pune të reja dhe kanë dhënë impakt në rritjen e të ardhurave familjare dhe rritjen e eksporteve.

Ndërsa Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi dhe Zhvillimit Rural për vitin 2021, financon deri në 100 mijë lekë fermerët që mbjellin bimë mjekësore e aromatike në vlerën 200 000 lekë për hektarë.

Në Shqipëri ka mbi 7 mijë lloje bimësh, të cilat formojnë thuajse 32 % të të gjithë florës së Europës.

Eksporti i këtyre bimëve ka rritur të ardhurat për familjet e zonës dhe ka nxitur punësimin.

Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike ka krijuar mundësi punësimi për rreth 100 mijë familje që jetojnë në zonat rurale të vendit. Ndërsa gjeneron rreth 18 milionë euro nga eksporti, i listuar si sektori i dytë më i madh në eksportin bujqësor.

Më 2020, Shqipëria ka eksportuar mbi 15.000 tonë bimë mjekësore dhe aromatike, me vlerë mbi 50 milionë euro.