FOTOT/ Fjetorja e skifterit kthetraverdhë në luginën e Drinos, më e madhja në Europë

8

Ekipi i PPNEA-s (Mbrojtjes dhe Ruajtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri) fundjavën e kaluar vizitoi fjetoren e skifterit kthetraverdhë në luginën e Drinos.

Sipas njoftimit të PPNEA, nga monitorimi i parë u numëruan rreth 330 individë të këtij lloji, duke treguar që tashmë grumbullimet dhe vendosja në fjetore e skifterit kthetraverdhë (Falco naumanni) ka filluar. Pikërisht pas perëndimit, pjesa më e madhe e skifterëve filloi grumbullimin në fjetore, me vetëm pak individë aktiv në muzg. Në muajt në vazhdim, numri i tyre pritet të rritet dhe të arrijë deri në mijëra individë, përpara se të fillojnë shtegtimin drejt vendeve të Afrikës.

PPNEA bënë të ditur se, fjetorja e skifterit kthetraverdhë në luginën e Drinos jo vetëm që është më e madhja në vendin tonë, por konsiderohet si fjetorja më e madhe në të gjithë Evropën. Nga të dhënat e mëparshme numri i individëve të vrojtuar në fjetore u vlerësua me 4000-6000 të tillë. Ky lloj që prej viteve ’50 ka humbur rreth 95% të individëve riprodhues në shtetet europiane, ndërkohë që në vendin tonë, është pjesë e listës së kuqe ku mbart statusin “I përkeqësuar (vulnerabël VU)”.

PPNEA, thekson se do të vazhdojë procesin e monitorimit dhe gjithashtu do përditësojë të dhënat nga inventarizimi i këtij lloji në Shqipëri.