Godina e re e trajtimit të studentëve në Elbasan po bëhet gati për të pritur studentët në vitin e ri akademik 2022–2023.
160 studentët të cilët do të akomodohen në ambientet e këtij konvikti, tashmë do të kenë një godinë moderne, me dhoma dhe kushte komode.
Për këtë vit të ri akademik, godina e re e trajtimit të studentëve falë një ndërhyrjeje totale, do të mundësojë gjithashtu për studentët edhe salla studimi dhe bibliotekën, ndërsa gjatë stinës së dimrit 80 dhomat me standarde të studentëve do të kenë sistem ngrohje dhe termoizolim.
Gjithashtu në godinë është ndërhyrë edhe në instalimin e rrjetit të ri elektrik, ndërsa nuk mungon edhe dalja e emergjencës, sistemi i alarmit dhe sistemi kundër zjarrit.
Kjo godinë ka gjithashtu edhe ambiente të veçanta për personat me aftësi të kufizuara, infrastrukturën e brendshme të tualeteve me të gjitha kushtet e nevojshme, si edhe ambientet e lavanterisë.
Godina e re, e cila hap dyert gjatë ditëve në vijim do të lehtësojë ndjeshëm jetën e studentëve, të cilët vijnë nga rrethet por edhe nga rajoni, për të jetuar dhe kryer studimet në Universitetin e Elbasanit.