FOTOT/ Laguna e Kune-Vainit, atraksioni i parezistueshëm turistik ku do gjeni gjithçka

111

Laguna e Kune-Vainit, një nga asetet turistike të veriut të vendit, tashmë është më lehtësisht e aksesueshme falë ndërtimit të infrastrukturës.

Falë ndërtimit të infrastrukturës zona është shndërruar në një destinacion turistik.

E shpallur e para zonë e mbrojtur në vend rreth 8 dekada më parë, laguna e Kune-Vainit, 8 km larg Lezhës, cilësohet si një nga më interesantet dhe gjithnjë e më shumë ka tërhequr vizitorë të huaj dhe vendas, të cilët shijojnë bukurinë e saj.

Laguna Kune-Vain ka një panoramë të mrekullueshme, ka infrastrukturë të ngritur në ndihmë të vizitorëve, vlera arkeologjike dhe kulinari interesante. Sot, kjo Zonë e Mbrojtur shfrytëzohet edhe për turizëm të vëzhgimit  të shpendëve të shumtë ujor që shumohen në këtë kënetë. Në përbërje të Lagunës hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, pyje, shkurre dhe livadhe, që ndërthuren hijshëm midis tyre.

Dallohet për larmi të madhe të botës së gjallë rreth 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh, disa lloje peshqish si qefull, levrek, koca, ngjala. Veçanërisht e pasur është bota e shpendëve (196 lloje migratore dhe të përhershëm), e cilësuar si “ornitologjia e Mesdheut”, 23 specie gjitarësh: lepur, dhelpër, ujk, derr i egër, etj.