FOTOT/ Liqeni akullnajor i Dushkut në Gramsh, një mrekulli e natyrës shqiptare

30

Liqeni akullnajor i Dushkut, Gramsh, ndodhet në afërsi të fshatit Lenie, në rrëzën veriperëndomore të malit të Komianit, në lartësinë 1110 m mbi nivelin e detit. Përfaqëson një liqen akullnajor me gjatësi rreth 1250 metra m dhe gjerësi rreth 300 m. Sipërfaqja është rreth 34 hektarë ndërsa perimetri rreth 3.5 km. Niveli aktual i ujit ishte në kuotën minimale, ndërsa pjesa më e madhe e pasqyrës ujore e mbuluar me kallamishte.
Ka botë të pasur të gjallë, në të cilën dallohen sidomos zambakët e bardhë të ujit.

Rrethohej nga një pyll i dendur pishash ndërkohë që aktualisht vetëm disa drurë ahu , pishe e dushqesh kanë mbetur përreth tijë. Së bashku me pyllin rrethues formon një ekosistem tepër interesant liqenor e pyjor. Poshtë tij, mbi fshatin Bratilë, është një rezervuar uji i cili ka të njëjtin emër në harta– liqeni i dushkut. Në fakt ky rezervuar gjendet në mes të një pylli me dushqe (që edhe e ‘meriton’ të quhet vërtet “Liqeni i dushkut”) dhe emri i tijë mbase është transferuar edhe tek Liqeni akullnajor i dushkut i cili është shpallur si monument natyre (kategori III e IUCN) që nga viti 2002 (VKM nr.676 datë 20.12.2002).

Është një destinacion i këndshëm, pasi rruga për të vajtuar deri tek liqeni është e mirë (për mjetet 4×4) por mund të shkohet edhe në këmbë, për rreth një orë.

Poshtë liqenit është një kompleks i vogël turistik (Bio-Farm Gramshi) i cili ofron ushqim dhe akomodim për vizitorët. Ka një pozicion të bukur pasi përballë sheh gjithë kohën anën veriore të malit te Tomorit./ Abdulla Diku