FOTOT/ Mbi 20 mijë turistë kanë vizituar Valbonën, shumica të huaj

16

20 571 vizitorë, nga të cilët 14 250 ishin të huaj, kanë vizituar Luginën e Valbonës nga janari deri në fund të qershorit.

Shifra bëhet e ditur nga Administrata e Zonave të Mbrojtura të qarkut të Kukësit.

Lugina e Valbonës, një nga bukuritë e rralla natyrore të vendit tonë, vazhdon të tërheqë çdo ditë e më shumë turistë vendas e të huaj.

Fundjavat janë dhe piku më i lartë i këtij fluksi. Rruga deri në Valbonë është një mrekulli më vete me peizazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse.

Në bujtinat e Valbonës, ndërtesa kryesisht dykatëshe të stilit tradicional, me çati të pjerrëta e në të rrallë edhe me tjegulla, vizitorët gjejnë ushqime tradicionale, shtrojë e mbulojë, pra, gjithçka duhet dhe një peizazh stinor mahnitës.

Lundrimi me tragetin Koman-Fierzë paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Tropojën dhe Valbonën në të katër stinët. Por, janë dhe dy rrugë të tjera që të çojnë në luginën e bukur.

Njëra kalon nga Kukësi, Hasi, Tropojë e Vjetër, Valbonë dhe tjetra nga Prizreni, Gjakova, Valbonë.

Fotot ilustruese nga LSA.