FOTOT/ Mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” i shpëtojnë jetën nënës dhe foshnjës 27-javëshe

65

Përkushtimi i stafit spitalor të maternitetit “Koço Gliozheni”, i ka shpëtuar jetën foshnjës së lindur 27-javëshe dhe nënës së saj.

Lajmin e ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“Anauri i vogël i lindur vetëm 27- javësh, tashmë ka kapërcyer rrezikun për jetën dhe sot gëzon shëndet të plotë bashkë me nënën e tij Nevadën”.

Kjo u bë e mundur falë kujdesit shembullor të dr. Sosiana Baja dhe stafit të Urgjencës dhe Terapisë Intensive në Maternitetin “Koço Gliozheni”.

Nevada Duraj, nëna e fëmijës, tha se, “shpresat kur linda ishin të pakta, pasi isha 27- javëshe. Nuk kisha hyrë ende në muajin e 7 dhe bebi nuk kishte shpresa për të jetuar dhe ishte 800 gramë. Nuk kishte shpresa për të dy. Unë dhashë fuqinë time që bebi erdhi në parametrat normale në bark pastaj nuk kisha unë më fuqi që më futën në sallë të operimit”.

Ndërsa doktoreshë Sosiana Baja tregon se, “në momentin që nëna ka ardhur në maternitet është vlerësuar nga ekipi i rojës, është parë që është një nënë që ka paraqitur një hipertension dhe gjatë vlerësimit është parë një krizë hipertensive dhe kjo ka çuar në zgjidhjen e lindjes në mënyrë urgjente. Në njëfarë mënyre është rrezikuar dhe jeta e nënës dhe bebit dhe fatmirësisht gjithçka shkoi mirë”.

“Bebi ka qenë në ventilim mekanik për një kohë të gjatë, afërsisht 45 ditë dhe ka kërkuar asistencë të vazhdueshme nga ana jonë. Aktualisht që flasim bebi është 3-muajsh dhe gëzon shëndet të plotë, është me një peshë 1870 gramë dhe sot do të kthehet në shtëpi së bashku me nënën e tij në gjendje të mirë shëndetësore”, shprehet doktoreshë Baja.