FOTOT/ Në Sarandë, pranvera vjen më shpejt

42

Në qytetin bregdetar të Sarandës ka filluar mbjellja e lulishteve me lule shumëngjyrëshe.

Saranda është e pëlqyer për të jetuar dhe e kërkuar për të pushuar, edhe për ajrin e pastër dhe gjelbërimin që ofron.

Përveç plotësimit me mijëra pemë më shumë, që i është bërë kurorës së qytetit, tashmë edhe lulishtet po lulëzojnë nga lulet, duke shtuar gjelbërimin në qytet.

Sipërfaqeve ekzistuese të destinuara për pemë dhe lule, së fundmi Bashkia u shtoi edhe të tjera, të përftuara nga lirimi dhe sistemimi që iu bë hapësirave në Rrugën “Jonianët”.

Këto hapësira jo vetëm që u pajisën me ndriçim në pjesën e trotuarit, por u mbollën edhe lule e pemë dekorative, duke ofruar mjedis të pastër dhe ekologjik.

Për krijimin e hapësirave të gjelbra edhe bizneset kanë dhënë kontributin e tyre duke gjelbëruar mjediset rreth tyre.

Saranda mirëpret çdo vit mijëra turistë. E përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, është e rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit nxit kureshtjen e turistëve të shumtë me historinë e tij mijëravjeçare.