FOTOT/ Nis restaurimi i banesave “monument kulture” Nova dhe Bilali në Berat

20

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat vijon punën për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Berat kanë nisur punën për restaurimin e banesës së familjeve Nova dhe Bilali në lagjen “Kala”.

Banesa Nova është monument kulture kategori e II dhe ndodhet përgjatë rrugicës që të çon tek çanaku. Ndërhyrja restauruese konsiston në ndërhyrje në çati me zëvendësimin e elementëve drusorë të degraduar, mbulim me letër katrama, restaurim fasade, suvatim çatmaje në ambientet e jashtme, restaurim dritareve, vendosje kolona qoshe dhe fashature horizontale.

Projekti i ndërhyrjes është hartuar nga specialistët e DRTK-Berat. Arkitektura unikale e banesave në Berat duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit.

Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendosen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, i bëjnë këto banesa një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit.

Zona e Kalasë ka fortifikime guri që nga gjysma e parë e shekullit të 4-t. Në kohët e lashta ai ishte i njohur si Antipatreja, një qytet i fortifikuar që ka arritur t’u rezistojë legjioneve romake të kohës.