FOTOT/ Njihuni me Dallandyshen, mjeshtren që mban gjallë traditën e punës në tezgjah

63

Dallandyshe Tabaku është një ndër të paktat gra që ende e zotërojnë zanatin e të punuarit në tezgjah, një traditë mjaft e përhapur në të kaluarën, por që me zhvillimet e reja teknologjike nisi të zbehej. Puna e saj 33-vjeçare e ka bërë atë të njohur në punimin e qilimave me dorë në gjithë Pazarin e Krujës dhe kjo “famë” sigurisht që i shërben për të pasur më shumë blerës.

Dallandyshja tashmë punon në një aktivitet të sajin, ku merret me punimin e qilimave, tapeteve dhe të gjithë aksesorëve me bazë leshi për përdorim shtëpiak në Pazarin e Krujës, një zonë tashmë e rijetësuar që mbledh turistë nga e gjithë bota.

“Kam plot 33 vjet që merrem me këtë zanat”, shprehet ajo për ATSH-në, duke shtuar se nuk e ka një profesion të trashëguar nga familja por që e ka mësuar në ish-ndërmarjen Artistike të Krujës.

Ndërkohë që Dallandyshja është duke punuar në tezgjah për porosinë e saj të fundit që i ka ardhur, ajo gjithashtu ndan me ne disa detaje të rëndësishme.

“Unë punoj me porosi dhe punimet e mia kanë kaluar kontinentin dhe preferohen shumë dhë vazhdojnë të vijnë porosi. Aktualisht, po merrem me një porosi qilimi që po e bëj në tezgjah që është në lesh me dimensione 2 me 2 e gjysmë dhe klienti është gjakovar dhe kërkon simbolin kombëtar të shqiponjës. Unë për punën time jap garanci rreth 200 vjet dhe rreth 3-4 breza nëse mirëpërdoret dhe sërish ka për të shkëlqyer po njësoj si ditën e parë. Eshtë një punë e mrekullueshme dhe ndaj e them që është fatkeqësi që po shkon drejt zhdukjes”, rrëfen Dallandyshja.