FOTOT/ Njihuni me Dashnorin, blegtori që ka 700 dhi dhe keca: Kujdesem për to bashkë me gruan

22

Ferma blegtorale e dhive në fshatit Lofkënd të Mallakastrës, është kthyer tashmë në një qendër model, falë punës së palodhur të fermerit blegtor dhe sipërmarrësit të suksesshëm mallakastriot, Dashnor Veliaj.

Ferma është ndërtuar mes maleve të thella të fshatit Lofkënd, në një zonë shumë të bukur natyrore dhe të pasur me kullota.

Me rreth 700 krerë dhi dhe keca, ferma është shndërruar në një model cilësor të sipërmarrjes në fushën e blegtorisë.

Veliaj tregon se, ka punuar fort për të ngritur këtë fermë. I rikthyer nga emigracioni ai investoi për ndërtimin e stanit fermë, me të gjitha kushtet e përshtatshme për mbarështimin e të imtave, ndërsa kujdesen për shëndetin e bagëtive bashkë me bashkëshorten e tij.

Veliaj thotë se është prej disa vitesh përfitues i subvencioneve nga Skema Kombëtare ndërsa vitin e kaluar investoi edhe në ngritjen e baxhos për përpunimin e qumështit.

Në fermën blegtorale janë të imta për mish dhe për prodhim qumështi. Kjo fermë blegtorale, renditet krahas fermave të mëdha në Shqipëri, ku është krijuar dhe synon të realizojë një cikël të plotë prodhimi.