FOTOT/ Parku Divjakë-Karavasta, shihni peizazhet mahnitëse që s’do ti harroni kurrë

17

Parku Kombëtar i Divjakës me peizazhin magjepsës, ku harmonizohen bukur dielli, deti dhe pylli fton turistët të shijojnë bukuritë e tij.

Guida turistike e Divjakës publikoi sot disa fotografi me pamje nga territori i parkut, duke ftuar turistët vendas e të huaj ta vizitojnë atë. Këtu vizitorët mund të bëjnë plazh, shëtitje nëpër park, në këmbë apo me biçikletë, të vëzhgojnë pelikanët apo zogjtë e tjerë, të shijojnë pamjet e mrekullueshme nga kulla panoramike, shëtitjet me varkë, apo ushqimin e zonës.

“Dashuria për Divjakë – Karavasta është se ky vend vërtet të magjeps në cilindo kënd të territorit. Kudo dhe kurdo të drejtosh objektivin e fotografisë do të fiksosh momente dhe çaste që s’do ti harrosh kurrë. Pafundësia e fotove që ne kemi realizuar asnjëherë nuk konsiderohen mjaftueshëm sepse çdo çast ka magjinë e vet”, – shprehet Guida turistike e Divjakës.

Fotot janë realizuar në mes të natës apo përgjatë natës.

“Këto fotografi guida i ka realizuar në prani të vizitorëve, të cilët nuk duan të humbin asnjë çast nga koha e qëndrimit me ne”, – tha guida.

Plazhi, laguna dhe pylli që e rrethon janë tre asetet kryesore të zhvillimit të turizmit në Divjakë, krahas monumenteve të kulturës që ndodhen në zonë.

Bashkia e Divjakës gjatë sezonit turistik ofron një guidë prej 5 km në Parkun e Divjakës, ku vizitorët njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut.

Vrojtimi nga kulla panoramike kur qielli është i kthjellët shkon edhe më thellë deri në malin e Tomorit.

Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijë ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.