FOTOT/ Përmeti mahnitës, destinacioni i preferuar i turistëve vendas dhe të huaj

31

Përmeti është një nga destinacionet e preferuara me një numër në rritje të turistëve vendas e të huaj, falë traditës së mikpritjes, kulinarisë e bazuar në produktet e zonës, prodhimeve artizanale të grave përmetare dhe Rilindjes Urbane.

Peisazhi mahnitës, kultura, trashëgimia dhe tradita, tashmë ofrojnë një ofertë turistike me një potencial fantastik.

Rritja e numrit të vizitorëve ka shtuar edhe të ardhurat që gjenerohen nga turizmi, ndërsa kthimi i Përmetit në një pikë të fuqishme tërheqëse të turistëve ka bërë që të hapen 25 njësi të reja akomoduese.

Në kuadër të këtij programi janë zbatuar 4 projekte me vlerë 1.53 milionë euro, ku më i rëndësishmi është ai për rikualifikimin urban të qendrës së qytetit, fasadave dhe ndriçimit në parkun qendror, ku prej dekadash nuk ishte vënë dorë në infrastrukturën urbane.

Gjithashtu u mundësua krijimi i zonave rekreative, përmirësimi i ndriçimit dhe rikonstruksioni i rrugëve për këmbësorët, rikonstruksioni i rrugëve automobilistike, i Shtëpisë së Kulturës dhe rikonstruksioni i fasadave.

Rijetësimi i bllokut të banimit ndërmjet rrugëve “Tefta Tashko Koço”, “Elena Gjika” dhe “Vasil Papadhopuli” në Përmet është një tjetër projekt i rilindjes urbane të qytetit.

Investimi prej 60 milionë lekësh, shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 15 mijë metrash katrorë dhe konsiderohet si një vazhdim i projektit të qendrës së qytetit, pasi krijon një lidhje midis qendrës dhe lagjes më të vjetër të qytetit. Nëpërmjet një korridori të shtruar me kalldrëm u realizua një segment i rëndësishëm i unazës së qytetit.

Në kuadër të zbatimit të këtij projekti u mundësua trajtimi dhe riformulimi i hapësirave ekzistuese publike me elementë të mobilimit urban, me qëllim integrimin e zonës së vjetër të qytetit me qendrën si destinacion gjithëvjetor turistik.