FOTOT/ Plazhi i Pishporos në Fier, destinacioni që pret ta zbuloni

130

Me 18 km vijë bregdetare ende për t’u shfrytëzuar, qyteti i Fierit ofron një potencial të vërtetë për zhvillimin e turizmit veror. Plazhi i Pishporos, është një mundësi e mirë për të pushuar.

I shtrirë në një gjatësi prej 9.5 km mes derdhjes së lumit të Vjosës e deri në Zvërnec të Vlorës, plazhi Pishporo është edhe vendi i flamingove, që kanë gjetur oazin e tyre të qetësisë në ligatinat e plazhit duke dhuruar spektakle të paparë.

Në stinën e verës plazhet ranore me shtrirje të konsiderueshme në territorin e bashkisë së Fierit, të ofrojnë qetësi dhe argëtim në të njëjtën kohë.

18 km në perëndim të qytetit të Fierit, shtrihet plazhi i Semanit, me gjatësi 7 km. Pjesë e vijës bregdetare të Fierit janë po ashtu edhe plazhi i Darzezës 13.7 km dhe plazhi Ndërnënas 8 km.

Ndërkohë gatimet tradicionale me prodhime vendase dhe çmime të përballueshme mbeten joshja e vizitorëve në Fier.

Për dashamirësit e turizmit të kulturës, Apolonia mbetet grishja kryesore në çdo stinë. Si një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike.

Po ashtu, zbatimi i programit “100 fshatrat”, do t’i japë një tjetër implus zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm rural me impakt të drejtpërdrejtë ekonomik. Pojani, Libofsha dhe Cakrani janë tre fshatrat e përzgjedhur në kuadër të projektit “100 fshatrat” për bashkinë e Fierit.