FOTOT/ Pogradeci gati për sezonin turistik, transformohet plotësisht blloku “Rinia”

35

Në Pogradec, blloku “Rinia” që ndodhet në qendër të qytetit, është shndërruar në një nga zonat model, me infrastrukturë rrugore sipas standardeve më të mira dhe mjedise të gjelbëruara anekënd.

Bashkia e Pogradecit ka përmbyllur investimin infrastrukturor në bllokun “Rinia”, projekt që përfshinte rehabilitimin e rrugëve, shesheve e fasadave të objekteve të banimit.

Investimi përfshiu rikonceptimin dhe shtrimin me asfalt të rrugës nga Kisha e re deri në qendër, bashkë me rrugën “Rinia”, ndërsa punimet u përqendruan në sistemimin dhe shtrimin e rrugëve të brendshme të lagjes, trotuaret, hapësirat e gjelbëruara, deri tek fasadat e pallateve.

Realizimi i investimit me vlerë 1.4 milionë euro, brenda afatit 16 muaj, përkon edhe me fillimin e sezonit turistik të këtij viti.

Lagja “Rinia” e restauruar plotësisht ofron jo vetëm një panoramë të bukur, por konsiderohet edhe si një vlerë e shtuar në lagjet model që po rivitalizohen çdo herë vitet e fundit në bashkinë Pogradec.