Projekt i ri në qytetin e Lezhës, si do rikonceptohen objektet përgjatë lumit Drin dhe bllokut nr.1 (FOTOT)

30

Qeveria Shqiptare dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit njoftojnë projektin e ri i cili synon rikonstruksionin e fasadave të objekteve përgjatë Lumit Drin dhe ri konceptimin e hapësirave të brendshme të bllokut nr.1 në qytetin e Lezhës.

Sipas njoftimit ndërhyrja parashikon unifikimin e mbulesave të objekteve, duke realizuar çati me strukture druri/metalike, dhe veshje me tjegulla vendi si dhe gjithashtu në fasadat e objekteve do të aplikohet sistemi kapot.

“Teksturat e aplikuara do të synojnë krijimin e një kompozimi dinamik duke i dhënë një imazh të ri objekteve por edhe portës hyrëse të qytetit ndërsa hapësira e brendshme e bllokut do të ri konceptohet me një organizim të ri. Në pjesën qendrore do të pozicionohet hapësira e parkut, e trajtuar në disa zona me gjelbërim, stola dhe sheshe lojërash për fëmije”, shkruhet në njoftim.

FSHZH bën me dije përreth sheshit qendror përgjatë objekteve do të pozicionohet rruga qarkulluese për automjetet, të cilat do të parkohen në dy hapësirat e parashikuara në dy skajet fundore të bllokut.