FOTOT/ Punime për mirëmbajtjen e aksit Tiranë-Ndroq-Plepa

30

Në aksin rrugor Tiranë-Ndroq-Plepa është duke u punuar me intensitet për pastrimin e vegjetacionit, për ta bërë këtë aks më lehtë të aksesueshëm për të gjithë përdoruesit e rrugës, veçanërisht tani gjatë sezonit veror, kur shtohet edhe fluksi i qarkullimit.

Përgjatë gjithë gjatësisë së këtij segmenti, që nis nga dalja e Tiranës, është ndërhyrë për pastrimin nga bimësia dhe rehabilitimin e pjesëve të amortizuara si dhe pajisjen e saj me sinjalistikën e nevojshme me qëllim rritjen e sigurisë rrugore përgjatë gjithë segmentit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm faktin e mirëmbajtjes së këtij aksi rrugor, bën të ditur se zona të cilën përshkon rruga Tiranë-Ndroq-Plepa është një zonë ku turizmi ka marrë një vëmendje të shtuar pasi ushtrojnë aktivitetin e tyre një sërë biznesesh kryesisht në agrikulturë.

Ky aks rrugor frekuentohet shumë nga qytetarët, qoftë të Tiranës dhe Durrësit, por edhe qytetarë të tjerë nga të gjitha vendet e Shqipërisë, pasi ky segment lidh zona me potencial të lartë ekonomik por edhe turistik. Për më tepër,  që të gjitha rrugët ndihmëse që lidhin qytetin e Tiranës me qytetin e Durrësit, pavarësisht autostradës, janë shumë të rëndësishme ndaj dhe mirëmbajtja vijon të jetë fokus kryesor i ARRSH-së.