FOTOT/ Qytet magjepsës, liqenit piktoresk të Pukës i shtohet platforma pluskuese

59

Liqeni artificial i Pukës është kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik duke ofruar për të gjithë vizitorët një peizazh të harmonishëm alpin.

Drejtoria e Shërbimeve Komunitare në bashkinë e Pukës përfundoi sot punimet për rikonstruksionin dhe plotësimin e platformës pluskuese në liqenin piktoresk të Pukës.

Krahas platformës, një element plotësues i liqenit, janë bërë edhe riparime si dhe janë vendosur stola dhe shkallë për vizitorët.

Puka gjithnjë e më shumë po merr një pamjei tjetër, duke u bërë më tërheqës për qytetarët dhe vizitorët, për shfrytëzimin e potencialeve të turizmit apo agroturizmit.

Qyteti i Pukës shtrihet në qendër të Shqipërisë Veriore, në një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella, mbulesa të dendura pyjore, lëndina e livadhe që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë.

Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor të Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë, mjaft të përshtatshme për shëtitje, ski, alpinizëm, gjueti sportive (të peshkut, shpendëve dhe kafshëve të egra) dhe për veprimtari të tjera rekreative, çlodhëse e argëtuese.