Në Vlorë vijon puna për ndërtimin e rrugës Orikum-Dukat, ku deri tani janë realizuar 34% e punimeve dhe pritet që për sezonin turistik të jenë gati kilometrat e para të asfaltuara deri në daljen e kthesës së gjurmës së re.
Në zonën e Orikumit, ku edhe nis ky aks, janë duke u hedhur shtresat asfaltike për të mos penguar qarkullimin e automjeteve, ndërkohë që edhe në zonën e Dukatit, punimet nuk do të krijojnë shqetësime për drejtuesit e mjeteve që do të udhëtojnë drejt bregdetit të jugut.
Aksi Orikum-Dukat është një tjetër segment i rëndësishëm, i cili lidh bajpasin e Vlorës me tunelin e Llogorasë dhe është pjesë e paketës për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, e cila do të bëjë të mundur lehtësimin e qarkullimit drejt bregdetit të jugut duke nxitur zhvillimin e turizmit.
I gjithë segmenti ka një gjatësi prej 14.7 kilometra, ndërsa në kontratë është parashikuar edhe mirëmbajtja e aksit për 10 vitet e ardhshme pas vendosjes së në funksion.
Në projektin e këtij aksi janë parashikuar edhe ndërtimi i mbrojtjes lumore të lumit Dukat, përmes ngritjes së mureve mbajtës dhe pritës.