FOTOT/ Sezoni turistik, Berati i kulturës i rikthehet jetës artistike

120

Mbrëmjen e djeshme qyteti i Beratit është ndezur nga atmosfera festive, ku qytetarët e shumtë kanë shijuar koncertin me muzikë qytetare dhe atë të folklorit.

Në çelje të sezonit turistik i cili këtë vit vjen më i lehtësuar nga pandemia për shkak dhe të vaksinimit masiv që po kryhet në gjithë vendin, bashkia Berat ka hapur siparin e një sërë aktivitetesh që do të organizohen gjatë ditëve të verës.

Në këtë koncert përveç muzikantëve, instrumentistëve, valltarëve, këngëtarët ishin veshur  me kostumet popullore të zonës së Beratit. Ndër emra të tjerë shumë të njohur për publikun ishte edhe këngëtarja Ludmilla Baballëku, të cilën publiku e ka admiruar dhe duartrokitur gjithmonë.

Ky koncert i dha gjallëri këtij qyteti kaq të bukur, i cili me investimet që janë kryer kohët e fundit, vlerat e rralla historike dhe arkitektonike që ka pret që të vizitohet këtë sezon veror nga vizitorë shqiptarë por edhe turistët e huaj që përherë kanë qenë të shumtë dhe e kanë zgjedhur Beratin si destinacionin e preferuar turistik.