FOTOT – Shpëtohet breshka e detit në lagunën e Patokut

19

Administrata e Zonave të Mbrojtura Lezhë, solli sot momente nga shpëtimi i një breshke deti që kishte ngecur në rrjetën e peshkatarëve.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Lezhë së bashku me stafin e HAS (Herpetofauna Albanian Society) morën një raportim për një breshkë deti (Caretta caretta), e cila kishte ngecur në rrjeta në lagunën e Patokut.

“Menjëherë pas marrjes së raportimit shkuam në zonë për të shpëtuar breshkën e cila u çua në qendrën e Kërkimit dhe Ndihmës së Parë të breshkave detare në Patok. Pas rehabilitimit të saj, kjo breshkë u markua dhe u lëshua përsëri  në det”, thuhet në njoftim.

Prej vitesh ekspertët kanë nisur projektin studimor mbi folezimin e breshkave detare në brigjet shqiptare dhe ato të Mesdheut, në kushtet e faktorëve të shumtë që rrezikojnë mbijetesën e tyre.

Breshkat e detit janë specie shumë të vjetra, duke datuar që nga koha e dinosaurëve dhe kanë arritur të mbijetojnë deri në ditët tona.

Në detin Mesdhe takohen tre nga shtatë llojet e tyre – Caretta caretta Chelonia mydas dhe shumë rrallë Dermochelys coriacea. Përveç ndryshimeve klimatike, mbijetesa e tyre rrezikohet edhe për shkak të urbanizimit dhe ndërtimit të pakontrolluar të zonave bregdetare, peshkimit apo ndotjes.

Një rol shumë të rëndësishëm në studimin dhe konservimin e habitatit të tyre ka luajtur dhe organizata MEDASSET, aktive prej vitit 1983 dhe tashmë me bazë në Greqi.