FOTOT/ Tregu i ri publik i Farkës, hapësirë moderne për fermerët dhe konsumatorët

9

Tregu i ri publik i Farkës do i shtohet së shpejti zinxhirit të tregjeve në Korçë, Bulqizë, Vaun e Dejës dhe Belsh. Tregu i ri publik i Farkës krijon hapësira të nevojshme për fermerët dhe konsumatorët.

Fermerët dhe konsumatorët do të mund të shesin e blejnë produkte të ndryshme duke shkurtuar kosto kohore e sidomos financiare. Shumë shpejt fermerët e fshatrave të Tiranës mund t’i tregtojnë produktet e tyre në tregun e madh ushqimor në Farkë.

Ky treg do të jetë publik, me tarifë minimale për tregtarët e vegjël dhe nën administrimin e Bashkisë së Tiranës. Tregu do të jetë një shembull dhe një pikë takimi e fermerëve, përpunuesve dhe tregtarëve me konsumatorin.

Veprimtaria e tregut bujqësor do të fokusohet kryesisht në ndërlidhjen midis fermerëve, prodhuesve dhe blerësve fundorë; grumbullimin e produkteve të fermerëve individualë dhe sigurimin e mjeteve dhe metodave të përshtatshme për promovimin dhe shitjen e produkteve të tyre si një njësi e vetme, duke mundësuar kështu shitjen e produkteve në volume të mëdha; garantimin e çmimeve të drejta dhe të njëtrajtshme për produktet bujqësore të fermerëve; sigurimin e një oferte të qëndrueshme për produkte bujqësore vendase për blerësit e mëdhenj, etj.