FOTOT/ Valbona, magnet per turistet

16

Parku Kombëtar i Valbonës, Tropojë, i mbuluar nga velloja e bardhë e dëborës ka tërhequr një numër të lartë turistësh në dy muajt e parë të vitit.

E kthyer në një oaz çlodhës dhe përkëdhelës për të gjithë, në lartësinë e 800 metrave mbi nivelin e detit, Valbona magjeps me bukurinë e bardhësisë së saj.

Në janar-shkurt Parkun Kombëtar të Valbonës e kanë vizituar 1570 vizitorë vendas e të huaj, nga të cilët 750 në muajin janar. Që prej janarit deri në dhjetor të 2021 Valbona u vizitua nga 123 654 turistë, ku 76 467 ishin turistë vendas dhe 47 187 të huaj.

Turizmi malor duket se është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve.

Parku Kombëtar i Valbonës i konsideruar një mrekulli më vete me peizazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse është një ndër më të frekuentuarit nga turistët vendas e të huaj.

Lugina e Valbonës është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996. Ky park ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Konsiderohet si mrekullia e Alpeve. Ndodhet 25-30 km në veri – perëndim të qytetit Bajram Curri.

Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur Lumi i Gashit. Territori i tij përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbonë e Çerem.
Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave, duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinthe.

Parku Kombëtar i Valbonës ka vlera të larta shkencore, turistike, shoqërore, kuruese, të cilat pasurohen me një biodiversitet me rëndësi kombëtare dhe më gjerë.