FOTOT/ Vjen flota e parë e autobusëve “Go Green” në Tiranë

89

20 autobusët e parë “Go Green” mbërritën sot në sheshin “Nënë Tereza” dhe brenda muajit gusht do të futen në qarkullim, ndërsa investimi do të kompletohet gradualisht edhe me 22 mjete të tjera.

Linja e gjelbër unazore në Tiranë, miqësore me mjedisin, synon një mbulim të gjerë dhe integrim me rrjetin ekzistues të transportit, duke iu dhënë mundësi qytetarëve që të udhëtojnë në distanca më të gjata me një linjë transporti.

Autobusët e rinj ekologjikë vijnë në kuadër të një marrëveshjeje ndërqeveritare të nënshkruar midis Gjermanisë dhe Shqipërisë për financimin e projektit “Transporti i Gjelbër i Tiranës”. Projekti, bazohet mbi një studim të thelluar fizibiliteti për një sistem të shpejtë autobusësh në Tiranë dhe ka si objektiv kryesor promovimin e një shërbimi transporti urban në Tiranë, i cili të jetë si miqësor me mjedisin dhe klimën ashtu edhe i besueshëm dhe i përballueshëm për qytetarët e kryeqytetit.