Frutat ekzotike që kultivohen në Shqipëri, rritet interesi i fermerëve

79

Frutat ekzotike, si kivi, goji berry apo avokado që kanë ardhur  në vendin tonë 2 dekadat e fundit, tani po arrijnë të kultivohen me sukses nga fermerët tanë në disa zona të vendit.

Fermerët po tregojnë interes për kultivimin e frutave ekzotike, duke e parë këtë si një mundësi, që nga ishin produkte 100% të importuar, sot mund të eksportohen edhe nga Shqipëria.

Eksperiencat e fermerëve nga emigrimi, janë vënë në zbatim në tokën shqiptare dhe fakti është që tashmë, janë disa zona në vendin tonë, ku kultivohet me sukses fruti i kivit si në Durrës, Fier, Vlorë, Vau Dejës, Pogradec, Librazhd e Belsh.

Ndërsa fermerë në Vlorë e Tiranë të apasionuar pas avokados, kanë nisur kultivimin e frutit ekzotik, mjaft i kërkuar së fundi nga konsumatori shqiptarë.

Ekspertë të bujqësisë shprehen se, mbjellja e pemës së avokados po tërheq interesin e fermerëve, sepse bima e avokados preferon temperaturat e ngrohta dhe nuk kërkon shërbime specifike.

Fidanët e avokadove gjenden në fidanishte apo në pikat e tregtimit të drurëve frutorë, të cilat punojnë edhe me porosi të veçanta.

Aktualisht janë rreth 3 parcela eksperimentalë të mbjella me avokado në zonën e Vlorës, por edhe në Tiranë.

Ata kanë vendosur ta rrisin atë për përdorim personal duke treguar se ky frut mund të rritet mjaft mirë në Shqipëri, sidomos në zona të mbrojtura.