Frymëzim/ Njihuni me Mite Çakallin, gruaja nga Bulqiza që punon mekanike prej gjysmë shekulli

206

Një histori padyshim frymëzuese! Rreth gjysmë shekulli dedikuar punës si mekanike. Ndodh rrallë të takosh një grua me profesion të tillë, por Mite Çakalli, 64 vjecarja nga Bulqiza prej 43 vitesh nuk ka ndalur së ushtruari zanatin e riparimit të elektromotorrëve.

“Sa kam mbaru shkollën, më 11 tetor të po të atij viti, në 77-ën unë fillova punë në fabrikë si elektriciste. Që atëherë pa shkëputje fare fillova në miniere. Zanati im ishte i domosdoshëm në minierë“, tha zanatçija, Mite Çakalli.

Ndonëse një profesion i ushtruar shumë pak nga gratë, paragjykimet nuk i ka ndjerë. E vetmja që vështirësoi ditët e saj të punës ishte lodhja që shoqëron një profesion të tillë.

“Kohët më parë kanë qenë shumë të vështira. 43 vjet punë. Nuk ka vetëm punë elektrike, por edhe thurje, hapje motori, kapakësh”, u shpreh mekanikja.

Me nostalgji, 64 vjeçarja kujton kohën kur punoi në minierën e Bulqizës.

“Na panë tek pusi bashkë me shoqen time dhe u çuditën. Si ka mundësi që akoma vazhdoj punë në minierë. E krahasuan. Thanë shtatë mrekulli ka bota, por ju qenkeni mrekullia e tetë. Si i keni rezistuar”, tha Mite Çakalli.

Jeta e bëri të kuptojë, se zanati, sic e quan ajo, ishte zgjedhja e duhur. E teksa në realitetin shqiptar has gjithnjë e më pak të rinj të dedikuar për të ushtruar një profesion, Mitja ka një thirrje edhe për ta.

“Me thënë të drejtën e kam preferuar gjithmonë dhe nuk rri dot pa këtë punë. Asnjëherë nuk i kam pasur lakmi shoqet që punojnë në punë të mira”, përfundoi Mite Çakalli.