Frymëzuese/ Bamirësja anonime ngjall shpresë mes shqiptarëve

150

Një grua rreth 70 vjeç i shkoi në fillim të gushtit në zyrë Drejtorit të Spitalit të Korçës. Gruaja kishte qenë më parë aty për të vizituar një të afërm të sëmurë dhe drejtori Ardit Konomi thotë se priste të dëgjonte kërkesën apo ankesën e saj. Përkundrazi zonja i tha se donte të ndihmonte spitalin.

“Unë u emocionova shumë nuk kam pse ta fsheh. Ishte e papritur, ishte e bukur”, thotë Konomi. Sipas tij ndihma kishte ardhur në kohën e duhur. Poliklinika ishte në proces të ndërtimit të sistemit online të referimit, por një pjesë e buxhetit, që kishte të bënte kryesisht me blerjen e kompjuterave për punonjësit, mungonte.

“Kjo ishte partia e fundit e paisjeve që nuk e kishim parashikuar dhe nuk e kishim të mbuluar. Donacioni erdhi në vendin e duhur në kohën e duhur”, thotë Konomi, që shton se gjesti ka lënë gjurmë te personeli që ai drejton.

Sipas drejtorit të Spitalit Rajonal të Korçës, në poliklinikë janë bërë investime të rëndësishme dhe ndryshime rrënjësore në vitet e fundit, por gjesti i bamirëses anomime ka qenë ai me më shumë ndikimim. “Asnjë prej këtyre deri më sot, të paktën për pjesën e personelit që punon brenda spitalit, nuk ka lënë atë gjurmë dhe atë shije të mirë që ka lënë ky gjest”, thotë ai.

Drejtori thotë se gruaja anonime, bleu vetë paisjet që u listuan si të nevojshme nga spitali dhe i dorëzoi ato. Kryeinfermierja e Poliklinikës i tha BIRN se gruaja kishte dhuruar 21 kompjutera. “Ka sjellë lehtësimin e të gjithë procesit të punës”, thotë Margarita Jazxhi.
Banorët po ashtu janë mirënjohës. Një prej tyre i tha BIRN se sistemi u lehtësonte punë dhe shmangte vërdallisjet e tepërta burokratike. “Ajo faleminderit për humanizmin, për shërbimin që u bën njerëzve në nevojë”, tha gruaja

Në Korçë filantropia është e njohur. Thoma Turtulli, një ndër filantropët më të njohur korçarë i dhuroi Korçës ndërtesat e bibliotekës, kinemanë, liceun, spitalin dhe jetimoren. Po ashtu të tjerë filantropë ndihmuar arsimin në qytet, duke financuar shkollat. Një pjesë e dhuruesve ishin emigrantë që dërgonin para pas në qytetin e lindjes si amanete. Dhurimi i kompjuterave është një shpresë që tradita mund të ringjallet