Frymëzuese/ Njihuni me Lekën, mbarështon 40 mijë shpendë në vit: Në fillim më shihnin me përbuzje, por puna nuk është turp

8

Nisi që 14 vjeç dhe sot mbarështon deri në 40 mijë shpend në vit, përshirë gjelin e detit, i cili është simboli i tryezës festive.

Që i vogël e kam nis punën, atëherë kishim pak se ishte kohë tjetër, vazhduam çdo vit duke e rritur numrin. Shëndosh me qenë, se e kam synim të hap një kompleks të madh me 5 mijë copë, veçse është problem tregu dhe mungesa e punëtorëve, por dëshirën e kam të madhe”, tha ai.

39-vjeçari Lek Pemaj nga fshati Krajen i Lezhës tregon se në fillim të gjithë e paragjykonin, por nuk u step. Është i kënaqur me punën që i siguron të ardhura të mira për familjen.

“Gati më shihnin me përbuzje por unë vazhdova punën sepse ka interes për gjelat e detit, nëse nxjerr lek s’ka pse të vijë turp se të gjithë duhet të punojnë. Pakkush punon në zyrat e shtetit. Kur ke shtëpinë e punën tënde është shumë mirë. Jam krejt i kënaqur”, shprehet fermeri Lek Pemaj për Report TV.

Pavarësisht pasigurisisë për tregun, fermeri thotë se do vazhdojë të mbarështojë gjithnjë e më shumë shpendë.

“Nuk është tregu stabël do të ishte mirë të vendoste shteti çmim dysheme si për shembull 700 lek për kg, por mungesa e sigurisë për shitjen e prodhimeve bujqësore e blegorale ka bërë që rinia të iki, këtu kanë mbetur vetëm pleq. Para tre vitesh njerëzit nuk arritën të nxjerrin as shpenzimet, ndërsa këtë vit u përmbytën tokat me grurë. Po të jetë tregu i sgurt unë investoj edhe më shumë”, u shpreh Pemaj.

Në një kohë kur të rinjtë po e braktisin masivisht Shqipërinë, 39-vjeçari Lek Pemaj ka një apel për ta, ndërsa kërkon vemendje nga shteti për bujqësinë dhe blegtorinë.

“Mirë do ishte që të gjithë të hapnin ferma, si për shembull stallë lopësh, gjela deti, etj. sepse toka është prodhuese, çdo i ri ka mundësi me hap fermën e vet”, tha ai.

Ky fermer është një shembull frymëzimi për të rinjtë që ti rikthehen tokës, thotë sipërmarresi i njohur Altin Prenga.

“Është djalë për tu marrë shembull, ashtu siç e kemi vizionin ne tek “Mrizi i Zanave” që të rinjtë të kthehen e të bëhen fermerë. Leka po ia del shumë mirë, ka dy makina, po ndërton shtëpinë e re dhe të gjitha këto i ka bërë duke punuar 12 muaj të vitit bashkë me familjen. Mirë do ishte të kishte shumë si Leka në fshatin tonë”, shprehet Prenga.

Zadrima e Lezhës e ka traditë mbarështimin e shpendeve e sidomos gjelin e detit./.Report TV