Fundjava e fundit e gushtit, mbi 33 mijë udhëtarë drejt Italisë nga Durrësi

2

Në fundjavën e fundit të gushtit tragetet që nisen nga Durrësi drejt Barit dhe Ankonës, po transportojnë një numër në rritje të udhëtarëve vendas dhe të huaj.

Përfundimi i pushimeve verore i ka drejtuar në dy qytetet-port të Italisë shumicën e qytetarëve, që jetojnë dhe punojnë në vendet e Evropës, si dhe turistët e huaj që  kanë vizituar vendin tonë.

Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur për ATSH-në se “në datat 24-27 gusht kanë dalë nga vendi ynë 33 587 pasagjerë, 8 287 automjete dhe 419 kamionë/trajlera”.

Sipas APD-së, në Portin e Durrësit kanë hyrë 4,413 pasagjerë, 1,127 automjete dhe 427 Kamionë/trajlera”.

“Lundrimet e dyfishuara të trageteve vijojnë të jenë në funksion nga e enjtja deri të dielën”, tha APD.

Nga data 20 korrik Porti i Durrësit operon me lundrime të dyfishuara, me pesë tragete në ditë, duke e çuar numrin mesatarisht këto ditë në rreth 7 mijë pasagjerë në ditë.

Në terminalin e pasagjerëve janë marrë masat për të përpunuar me kapacitet maksimal, me 32 sportele, 20 për makinat dhe 12 sportele për këmbësorët.

/ata.gov.al