Gazetarja italiane: Mrekulli! Nuk gjej dot fjalë tjetër për ta përshkruar liqenin e Komanit

171

Mrekulli. Nëse do të isha e detyruar të zgjidhja një fjalë për të përshkruar liqenin e Komanit, ajo do të ishte “mrekulli”. Shumë herë e kam shtyrë vizitën time në këtë vend, por pak kohë më parë më në fund vendosa që kishte ardhur momenti për të shkuar dhe zbuluar atë që nga shumë shqiptarë është konsideruar si një nga vendet më magjepsës të vendit të tyre.

Kështu e nis reportazhin e saj gazetarja italiane Francesca Masotti të publikuar në blogun  “Letters from Balcans”.

Shpesh kush shkon në Shqipëri nuk arrin të përfshijë gjithçka në itenerarin turistik: plazhet e mrekullueshme të rivierës së jugut, kryeqyteti i gjallë i Tiranës dhe qytetet historike të Beratit dhe Gjirokastrës, nuk mungojnë pothuajse kurrë në turin shqiptar , por vendi i shqiponjave ruan thesare që ngadalë meritojnë të zbulohen të gjithë.

Për fat të keq, këtë verë unë kisha vetëm një fundjavë për të shkuar në veri, kështu që në vend të kalimit të gjithë liqenit të Komanit në Fierzë (ku shkon në Parkun Kombëtar Valbona dhe Kosovë), kam marrë pjesë në një ekskursion ditor.

Por, le të vazhdojmë me radhë. Ata që duan të vizitojnë këto vende mun d të prenotojnë të qëndrojnë një natë në Shkodër, qyteti më i rëndësishëm i Shqipërisë së veriut, sipas mendimit tim, edhe më interesanti në vend nga pikëpamja historike, kulturore dhe natyrore.

Shkodra është më afër Komanit se sa kryeqyteti, prandaj mendoj se gjumi këtu është zgjidhja më e mirë.

Për të arritur nga Shkodra në pikën ku nisen tragetet duhen rreth një orë e gjysmë. Kujdes: rruga nuk është më e mira, por pamjet që ndeshen gjatë saj, së bashku me lumin Drin që shfaqet mes maleve madhështore, janë pak të thuash të mrekullueshme.

Sapo të arrini në Koman, mund të niseni. Kompania Komani Lake Ferry ka dy lloje anijesh, Ferry Berisha, në të cilën mund të merrni njerëz, kafshë shtëpiake, makina, biçikleta dhe motoçikleta, dhe anija Dragobia, ku njerëzit, kafshët dhe biçikletat shkojnë vetëm.

Trageti udhëton nga prilli në tetor çdo ditë të javës duke nisur në orën 9.00 nga Komani dhe pas dy orë e gjysmë udhëtimi arrini në Fierzë.

Nga Fierza nisemi në orën 13.00 në drejtim të Komanit. Trageti Dragobia, është aktiv gjatë tërë vitit (edhe në muajt e dimrit) dhe mbulon Fierzë-Koman-Fierzë çdo ditë nga Fierza në orën 6.00 dhe nga Komani në orën 9.00.

Për ata që nuk e dinë, Liqeni i Komanit u krijua artificialisht në vitet ’70, pas ndërtimit të digës me të njëjtin emër hidroelektrike.

Ujërat e lumit Drin iu deshën rreth dy vjet të mbushnin liqenin dhe për të arritur nivelin aktual. Atje ku sot rrjedhin ujërat e liqenit, dikur kanë qenë fshatra të vogla të banuara nga barinjtë dhe fermerët. Drini nuk është lumi i vetëm që derdhet në liqen, edhe lumenjtë

Shala dhe Valbona në shumë pika takohen me të dhe krijojnë peizazhe të bukura dhe pamje që të lënë pa frymë.

Shqipëria është një vend i vogël që, megjithatë, ofron pamje madhështore.
itenerari që zgjodha ishte “One Day Trip”, që nis në orën 9 nga terminali i Komanit me varkën Dragobia dhe arrin në Guesthouse e pronarëve, ku ha drekën me menu me ushqime tipike lokale.

Përpara drekës mund të shkoni buzë lumit, ku mund të bëni plazh, trekking ose kayak. Ndërsa mund të shkoni edhe në lumin Shala, një nga thesaret e fshehura të Shqipërisë.
Ju këshilloj të shkoni deri tek lumi Shala, sepse është një nga vendet më të bukura që kam parë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në gjithë Europën.

Lumi Shala nuk është përmendur kurrë në listën e vendeve për tu parë në Shqipëri dhe nuk e kuptoj përse, është shumë i bukur me pamje magjepsëse , pothuajse një vend përrallor.
Kur e vizitova unë kishte turistë, por jo asgjë në krahasim me destinacionet e tjera të Ballkanit, si për shembull plazhet përgjatë rivierës shqiptare, bregdetin jonian grek ose qytetet bregdetare të Kotorit.

Megjithatë, nuk i ka zili asgjë këtyre vendeve të përmendura më sipër. Kush e di se për sa kohë kjo parajsë do të mbetet kaq e pastër dhe jashtë botës. Shala arrihet me një anije të vogël dhe ndodhet në anën e kundërt të rrugës që të çon në Fierzë. Menjëherë ne zhytemi plotësisht nga veçantia e këtij vendi. Përgjatë rrugës kalojnë para syve peisazhe që të lënë pa frymë. Shkëmbinj, shpella, plazhe me gurë, ujë i kristaltë me nuanca që shkojnë nga e kaltra tek jeshilja.

Një mikrokozmos në zemër të Ballkanit. Një mjedis i këndshëm, i përsosur, një xhevahir për të soditur tani, para se të gjithë të bëhen të vetëdijshëm për bukurinë e tij.