Gjeniu Karl Gega, shqiptari që projektoi hekurudhën e parë malore të Evropës

34

“La Croix” ka botuar, të premten e 20 majit 1904, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me 50-vjetorin e përfundimit të hekurudhës së famshme të Semmering-ut, vepër e inxhinierit të famshëm me origjinë shqiptare Karl Gega, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Me 28 të këtij muaji do të fillojnë festime të mëdha të cilat do të zgjasin një javë të tërë dhe do të sjellin hare në një pjesë të perandorisë ashtu si në kryeqytet.

Në fund të majit, hekurudha e Semmering-ut, e cila ishte hekurudha e parë malore e Evropës, feston 50 vjetorin e përfundimit. Semmering-u është pika më e lartë e vargmaleve të Alpeve që na ndajnë nga Styria. Pak rajone malore janë po aq piktoreske dhe madhështore sa këto. Kur niseni nga Vjena për në Gratz dhe Trieste, së pari kalojmë nëpër vreshtat e pasura përreth Baden-it, pastaj Vjenë-Neustadt, selia e Saint-Cyr, dhe pothuajse menjëherë fillon ngjitja.

Hekurudha, përfundimi i së cilës do të përkujtohet, është seksioni nga Gloggnitz në Semmering : puna zgjati gjashtë vjet, nga 1848 deri në 1854 dhe kushtoi 31 milion franga. Është një nga kryeveprat më të bukura teknike në botë; Z. Gega, inxhinieri autori i kësaj mrekullie, ishte sigurisht një nismëtar i një gjeniu të madh, sepse guxoi të konceptojë plane të cilat ishin një zbulim për kohën e tij; ai mundësoi që industria hekurudhore e sapo lindur të hidhte një hap prej gjysmë shekulli përpara.