Gjermania një hap nga njohja e patentave nga Shqipëria dhe Kosova

97

Këshilli Federal po shqyrton aktualisht një projekt-rregullore të re për lejet e drejtimit të automjeteve në Gjermani ku njëra nga pikat është edhe njohja e patentave nga Shqipëria dhe Kosova.

Njohja e patentave shqiptare dhe kosovare për emigrantët me banim në Gjermani së shpejti pritet të bëhet më e lehtë. Ministria Federale e Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit i ka kërkuar Këshillit Federal që të miratojë disa ndryshime në rregulloren për provimet e lejeve të drejtimit të automjetit, ndër to edhe për konvertimin pa provime shtesë të lejeve të drejtimit të automjeteve nga Shqipëria, Kosova, Moldavia, Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut.

Sipas draftit të dorëzuar në fund të dhjetorit në Këshillin Federal, qeveria gjermane propozon njohjen e patentave nga Shqipëria pa provime në teori dhe praktike për pothuajse të gjitha kategoritë vetëm për patentat që i përkasin kategorisë AM për konvertimin do të kërkohet një provim praktik.

Për lejet e drejtimit nga Kosova është parashikuar konvertimi pa provime shtesë në të gjitha kategoritë.

Ndryshimet priten të lehtësojnë jetën e mijëra emigrantëve që kanë ardhur nga Shqipëria dhe Kosova në Gjermani. Sipas rregullave të deritanishme për emigrantët rezidentë në Gjermani vlefshmëria e patentës skadonte pas gjashtë muajsh qëndrimi dhe konvertimi kushtonte deri në 1000 Euro.

Projekt-rregullorja pritet të shqyrtohet më 26 janar në seancën e rregullt të Komisionit për Komunikime Dixhitale dhe Transportit dhe nëse nuk ka propozime për ndryshime, rregullorja mund të miratohet që më 11 shkurt, në seancën plenare të Këshillit Federal.

Ndryshimet e propozuara kanë mbi bazë projekt-marrëveshje dypalëshe të Gjermanisë me Shqipërinë, përkatësisht me Kosovën, që pritet të ratifikohen menjëherë pas miratimit nga Këshilli Federal.

Çështja e njohjes së patentave për emigrantët rezidentë në Gjermani kishte shkuar deri në tryezën e ish-kancelares Angela Merkel dhe diplomatët në Berlin thonë se ishte pikërisht angazhimi personal i saj që e përshpejtoi procesin. DW