Gjesti pozitiv i nxënësve të “Qemal Stafës”, japin mesazhe përmes punës

55

“Pas dhjetë vitesh dikush do të ulet në hijen e kësaj peme”. Nëse kalon këtë fundjavë në dunat e Divjakës mund të shikosh jo vetëm fidanët e rinj, por edhe të lexosh mesazhe të varura në degët e njoma të pishave të buta.

Mund të mendosh për një çast se këto “pusulla dashurie” për mjedisin i kanë lënë aktivistë mjedisorë, sidomos kur lexon një shprehje si “Mungesa e mjaltit është rrënja e të gjitha të këqiave”.

Mendja të shkon menjëherë te situata e reduktimit të bletëve dhe masave që vende të huaja po marrin për të ndryshuar problematikën e shfaqur.

Por nëse ecni edhe pak një tabelë druri do t’ju tregojë se të premten e 22 shkurtit gjimnazi “Qemal Stafa” në Tiranë ka krijuar tashmë parcelën e vet.

150 fidanë pishe janë mbjellë nga 40 nxënës, bashkë me mësueset e tyre dhe stafin e Parkut Kombëtar Divjakë –Karavasta.