Gjirokastër, nxitje brezave të rinj të ruajnë isopolifoninë

2

“Polifonia te trashëgimia” ishte aktiviteti i organizuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, në shkollën 9-vjeçare “Asim Zeneli”, ku së bashku me ekspertin e trashëgimisë kulturore Shkëlqim Guce u fol për isopolifoninë, historinë, ndarjen sipas krahinave dhe më e rëndësishmja, përcjelljen e saj në breza.

Embëlsia e këtij aktiviteti ishin fëmijët të cilët interpretuan këngë dhe valle folklorike.

Në fjalën e tij për nxënësit, drejtori i DRTK Gjirokastër, Ardis Duka tha se fëmijët janë ata që na mësojnë vlerën që ka koha dhe mënyrën si duhet ta shfrytëzojmë atë, duke mbushur ditët tona me vlera të tilla si elementet kulturore të vendit tonë të cilat i kemi të shumta dhe na pasurojnë si komb.

“Ne jemi gjithmonë këtu për ju dhe mbështetje të talentit tuaj”, u shpreh Duka duke falënderuar për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe krahun mbështetës të këtyre fëmijëve, drejtuesin e shkollës, Astrit Ismaili si dhe gjithë stafin pedagogjik të shkollës dhe prindërit e fëmijëve.

“Isopolifonia popullore shqiptare” është në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë jomateriale të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO, që prej 25 nëntorit të vitit 2005.

ata.gov.al