Gjirokastër, qeveria japoneze donacion për menaxhimin e mbetjeve

0

Flotës së mjeteve për pastrimin e qytetit të Gjirokastrës iu shtuan mjete motorike dhe pajisje për menaxhimin e mbetjeve.

Në ceremoninë e dorëzimit të këtyre donacioneve ishte i pranishëm ambasadori i Japonisë në vendin tonë, Mitsuyuki Takada, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi.

Në një postim në rrjetet sociale Golemi tha se “qytetit të Gjirokastrës iu shtua një makinë teknologjike dhe kosha, donacion i qeverisë japoneze”.

“Këto donacione do të na ndihmojnë në punën tonë të përbashkët për një Gjirokastër të pastër. Falënderoj në mënyrë të veçantë ambasadorin Takada Mitsuyuki për mbështetjen e pakursyer”, tha Golemi.

Ndërsa ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila ishte e pranishme gjatë dorëzimit të donacioneve tha se “në Gjirokastër nuk mund të ketë turizëm pa pastërti dhe menaxhim të kujdesshëm mbetjesh, për çka bashkëpunimi me Ambasadën Japoneze është shumë i dobishëm”.

Kumbaro shprehu mirënjohjen për punonjësit e bashkisë për punën e palodhur. “Gjirokastra pastërtinë e ka kartëvizitë të ditës siç ka edhe namin”, tha Kumbaro.

ata.gov.al