Gjirokastra, destinacioni i turistëve të huaj edhe në vjeshtë

16

Muzeu Etnografik, ai i Luftës së Ftohtë, Muzeu i Armëve dhe “Shtëpia Kadare” në muajin tetor u vizituan nga 1300 turistë vendas e të huaj, me gjithë vështirësitë e krijuara nga pandemia.

Muzeumet janë ndër qendrat kryesore për zhvillimin e turizmit, ndërsa mirëadministrimi i tyre është në vëmendje të punës së bashkisë Gjirokastër.

Stafet e tyre janë përkujdesur për mirëmbajtjen dhe pasurimin e fondit arkivor, mjediseve, si dhe ofrimin e një shërbimi cilësor për vizitorët.

“Sistemi i muzeve në Gjirokastër”, projekt i cili po zbatohet së fundmi në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit synon rikonceptimin e katër muzeve, për të qënë koherent me standardet bashkëkohore të zhvillimit turistik.

Ky sistem i ri novativ do të jetë në shërbimin e turistëve duke krijuar lehtësira prej marrjes së informacionit paraprak nga website, deri në përjetimin e eksperiencës së plotë të qytetit të Gjirokastrës, të kulturës dhe historisë të mbrojtur në muze dhe shtigje e rrugë me kalldrëm.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.

Kalaja e gurtë, parku i Antigonesë, muzetë e qytetit vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.