Google ju ndihmon të gjeni titullin e një këngë duke e kënduar atë

19

Google ka lansuar mënyrën më të re për gjetjen e këngëve. ‘Shazam for humming’ lejon gjithësecilin të gjejë këngën e dëshiruar vetëm permes një melodie ose pjese të këngës që iu ka mbetur në mendje, përcjellë KultPlus.

Për të përdorur opsionin e ri, hapni versionin tuaj më të fundit të aplikacionit Google, prekni ikonën e mikrofonit dhe thoni “What’s this song?”, ose klikoni në butonin “Search a song”.

“Një mënyrë e thjeshtë për ta shpjeguar është se melodia e një kënge është si gjurma e gishtit: Secili ka identitetin e vet unik”, tha Krishna Kumar, një Menaxher i Lartë i Produkteve në Google Search.

“Kur ju kërkoni një melodi në Google, modelet tona të të mësuarit makinerik e shndërrojnë audion në një sekuencë të bazuar në numra që përfaqëson melodinë e këngës. Modelet tona janë trajnuar për të identifikuar këngët, bazuar në një larmi burimesh, duke përfshirë njerëz që këndojnë, fishkëllima ose gumëzhitje, si dhe regjistrime në studio”.

Aparna Chennapragada, një nënkryetare e Google që zbuloi opsionin e ri, tha se njerëzit e pyesin Google “çfarë këngë është kjo” gati 100 milion herë çdo muaj, ose kërkojnë fraza teksti, që t’ju shfaqet kënga.