Gramsh, nis ndërtimi i urës që mbante të izoluar 3 mijë banorë

322

Për vite të tëra, 3 mijë banorë të fshatrave Poroçan, Holtas, Gjere, Lleshaj në bashkinë e Gramshit kanë vuajtur izolimin nga pjesa tjetër e vendit, veçanërisht në ditët e vështira të dimrit. Shkollat dhe qendrat shëndetësore, në largësi nga fshatrat dhe nga njëra – tjetra kanë qenë përherë e më shumë të paarritshme nga banorët, për shkak të amortizimit të urës pasarelë, e vetmja që lidhte zonën me pjesën tjetër të bashkisë.

Por, situata do të marrë fund pas jo më shumë se 10 ditësh, kur pritet të përfundojë ura e re, tip Bayle. Ajo nisi sot të ndërtohet nga efektivi i togës së urave në Batalionin e Xhenios të Forcave Mbështetëse.

Krahas nxjerrjes nga izolimi dhe mundësisë së ndihmës, në rast bllokimi nga bora apo reshjet e shiut, ura me gjatësi 21 m dhe peshë 40 ton, do të sjellë lehtësi edhe për 4 qendrat shëndetësore, të cilat tanimë do tu ofrojnë shërbimin e duhur banorëve, duke u lidhur më shpejt me strukturat shëndetësore në Gramsh e më gjerë.