“Green Half Marathon” në Berat, atletja Luiza Gega fiton garën në 10 km

10

Në Berat u zhvillua sot edicioni i dytë i “Green Half Marathon 2024”, ku atletja shqiptare Luiza Gega fitoi garën në 10 km.

Këtë vit në këtë maratonë morën pjesë 40 shtete, nga mbarë Europa, me 400 vrapuesit më të mirë në elitat e garave mbarë botërorë, nën moton “Bëhu pjesë e rrugëtimit të gjelbër”.

“Ishte për të shijuar atmosferën. Këtë vit po ndihëm shumë mirë. Marr një dashuri shumë të madhe nga të gjithë njerëzit në Berat. Do të vij përsëri. Këtë vit më pret para Kampionati Evropian për t”u finalizuar me Lojërat Olimpike”, tha Luiza Gega.

Ky është edicioni i dytë i maratonës ndërkombëtare që zhvillohet në Berat dhe mbahet me kauzën “Vrapo për të mbrojtur mjedisin”.

Ditën e shtunë kur u çel aktiviteti vrapuan nxënësit e shkollave për 2 km ku u shpallën fitues, për shkollat 9-vjeçare: Gloria Bibo nga “22 Tetori” dhe Amarildo Kanani nga “Shyqyri Lakra” dhe për shkollat e mesme Albano Zylali dhe Rexhina Grabovari nga shkolla “Kristaq Capo”. Ndërsa sot vrapojnë profesionistët.

Gara nis nga Pedonalja vijon në “Çelepias”, kalon në lagjen “Goricë” e deri në Vodicë.

Po në ditët e maratonës, disa nga garuesit më të mirë të Europës lanë një shenjë të përhershme në qytetin e Beratit. Ata mbollën një nga 300 pemët që parku “Dua të luaj” do të ketë, si një ogur i mirë për çdo të ri të qytetit që do të stërvitet në këndet sportive.

/ata.gov.al