Hapen kurset për patentë, si do bëhet regjistrimi dhe instruksioni në rrugë

28

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor njoftoi sot se aktiviteti i subjekteve private që regjistrojnë dhe përgatisin aplikantë për leje drejtimi, rritje kategorish, teori e praktikë, rihapet me dy faza.

“Brenda 11 majit del urdhëresa për rinisjen e regjistrimeve të reja, si dhe riçelet aktiviteti ekonomik për kursantët e rinj që presin prej 2 muajve”, informoi DPSHTRR.

DPSHTRR apeloi për ndjekjen me rigorozitet të masave që frenojnë përhapjen e infeksionit COVID-19, si ruajta e distancave mbi 1.5 m dhe higjienës, sikurse mund të jetë zhvillimi seancave online.

Nga 18 maji nis edhe instruksioni në rrugë, jo mbi 1 praktikant në kabinë, veç kur janë  familjarë. Në këtë rast personat duhet të mbajnë maska, doreza, ndërsa është e nevojshme dezinfektimi i mjedisit në çdo rast.

DPSHTRR informon se ka ngritur një njësi operacionale anti Covid e cila do të monitorojë hap pas hapi zbatimin e protokolleve të posaçme të sektorit të kualifikimeve për leje drejtimi.

Po ashtu DPSHTRR kërkoi që takimet te subjektet të kryhen sipas orareve të paracaktuara, pa krijuar radhë a grumbullime.

Për kursantët që iu është ndërprerë kursi i teorisë/praktikës për shkak të mbylljes së aktivitetit në 13 mars, procesi mësimor do vijojë aty ku është ndërprerë.

Autoshkollat duhet të koordinohen paraprakisht me drejtoritë rajonale për të shmangur tejkalimin e kapaciteteve të lejuara për testim konform protokolleve të masave të sigurisë.